Transmetuar më 15-08-2017, 13:00

Policia e Shtetit jep informacion lidhur me numrin e rasteve të referuar në Prokurori për periudhën 1 korrik- 14 gusht 2017, për situatën e zjarreve në vend.  

Në lidhje me numrin e rasteve të evidentura nga strukturat vendore të policisë, për ngjarjet e jashtëzakonshme dhe emergjente për situatën e zjarreve në shkallë vendi, dhe referuar në Prokurori si vepra penale për “Shkatërrim i pronës me zjarr” neni 151 i Kodit Penal, rezulton se:

– Janë zbuluar 34 raste zjarrvënie me 35 autorë, (12 autorë janë arrestuar e ndaluar, 19 autorë ndiqen në gjendje të lirë, si dhe 4 autorë janë shpallur në kërkim).

Numri i mjeteve dhe forcave të angazhuara për shuarjen e zjarreve

– kanë marrë pjesë për eleminimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit 3545 punonjës policie në mbështetje e në bashkëpunim me punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri, të emergjencave civile, pushtetit vendor dhe ushtrisë.

Janë angazhuar sipas kërkesës së Prefektëve të qarqeve edhe 80 efektivë të FNSH-së.

Motivet kryesore te zjarrëvënies dyshohet se janë ripërtëritja e kullotave, personat të cilët kanë marrë në përdorim pyjet, me qëllim shmangien e taksave, hapje tokash të reja, – përdorimin i granteve për shëndetësim pyjor etj.

Policia ka marrë masa për objektet me risk për të cilat premisat për rënie zjarri, krahas pyjeve dhe kullotave janë të larta. Ato janë katër subjekte që kanë depo për magazinim të lëndëve piroteknike fishekzjarrë, në Tiranë dhe në Elbasan.

Këto depo kanë marrë edhe vetë masat e sigurisë pasi janë të certifikuara nga strukturat e Mbrojtjes ndaj Zjarrit, janë të miratuara nga Komisariatet e Policisë dhe sigurohen me Shërbime Private të Sigurisë të armatosura.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë angazhuar shërbime shtesë me qëllim parandalimin, zbulimin, identifikimin dhe goditjen e autorëve të zjarrëvënies së qëllimshme dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.