Transmetuar më 15-08-2017, 08:10

Lëvizja Socialiste për Integrim, për të nëntin vit me radhë ka organizuar kampin e Jalës, ku në fokus janë të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim.

Në natën e parë, mbrëmjen e kësaj të hëne, përshëndeti kryetarja e partisë, Monika Kryemadhi.

Në fjalën e saj ajo u ndal në zgjedhjet e 25 qershorit dhe bëri një analizë mbi të kaluarën në qeveri si dhe paralajmëroi opozitë të fortë. 

“Ne arritëm të marrim 19 deputetë, mbi 250 mije vota, por Shqipëria sot është në udhëkryq. Kemi një qeveri që nuk e dimë se çfarë është sepse ka ministra të Partisë Demokratike, ka ministra të Partisë Socialiste dhe ministra te LSI. Kemi një parlament që do të mblidhet pas disa javësh. Pra kemi një situate ku nuk kemi një objektiv, nuk kemi një qëllim”, u shpreh Kryemadhi.

Në vijim ajo shtoi se, LRI ka sot një objektiv shumë të qartë, Shqipëria ka nevojë për një forcë të majtë politike dhe për një forcë të thjeshtë që kujdeset për njerëzit.

Kryemadhi deklaroi se ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë dhe kjo sipas saj, nuk bëhet nga një klasë politike me komplekse.

“E majta në Shqipëri po zbehet. Po zbehet dhe po mbulohet përditë nga pluhuri i oligarkëve. Sot, me pozicionimin në opozitë ne do të qëndrojmë fort dhe do të marrim përsipër përgjegjësitë dhe do të bëjmë luftë frontale kundër çdo padrejtësie”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi më tej se për sa kohë LSI ka qenë në qeverisje u ka shërbyer shqiptarëve me dorë në zemër, ndërsa shtoi se gabimet janë për njerëzit. Kryemadhi deklaroi se LSI me qëndrimin në opozitë nuk do i përsërisë më gabimet, por do ngrejë zërin kundër çdo përgjegjësie. /a.y/noa.al