Transmetuar më 14-08-2017, 21:28

Marrë shkas nga rasti i fundit i mbytjes së një pushuesi në Velipojë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar duke akuzuar qeverinë se nuk mori asnjë masë për sigurinë në plazhe.

Berisha shkruan në Facebook se brigjet shqiptare janë të një vendi pa shtet edhe pse taksat paguhen.

”Kjo shifër e paregjistruar kurrë më parë në Shqipëri, dëshmon kështu se brigjet tona janë brigje të një vendi pa shtet, brigje në të cilat, pavarësisht nga taksat që paguajnë pushuesit, jeta e tyre nuk kushton asgjë dhe, kundër rrezikut që paraqet uji, nuk investohet qoftë dhe një qindarkë nga qeveria apo bashkitë për shpëtimin e njerëzve në rrezik mbytje”, shkruan Berisha.

Ai shkon më tej duke e quajtur akt kriminal qëndrimin e qeverisë për të parandaluar raste të tilla.

“Dënoj si te papërgjegjshme dhe kriminale qëndrimet e qeverisë dhe vetë Noriegës për mungesën e plotë të ndihmës ndaj rrezikut të njohur që ekziston për jetën e pushuesve që lahen në ujërat e brigjeve tona”, përfundon reagimi i Berishës. /k.k/noa.al/