Transmetuar më 14-08-2017, 15:40

Kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, thotë se eurobarometri tregon se shqiptarët na qenkan shumë të lumtur, sepse janë shumë të varfër.

“Eurobarometri na thotë edhe që megjithëse janë tre herë e kusur më të varfër se europianët, prapë së prapë shqiptarët qenkan shumë të gëzuar që janë kaq të varfër.

Barometrat punojnë me zhivë dhe kjo zhiva e eurobarometrit do të jetë me siguri e përzierë me kanabis, nga ajo që trazon mendjen dhe xhepat e disave…”, shkruan ai në Facebook.

Në mbyllje Vasili shton se Gallupi e thotë qartë, që shqiptaret duan të ikin në masë nga Shqipëria, “por Gallupi përdor zhivë të pastër me sa duket”.

Vasili gjatë gjithë kësaj vere, çdo ditë ka dalë me qëndrime kritike ndaj qeverisë dhe posaçërisht ndaj Kryeministrit Edi Rama.

Nëpërmjet tij, LSI ka nisur opozitën e paralajmëruar ndaj mazhorancës së dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. /a.y/noa.al