Transmetuar më 14-08-2017, 13:29

Mbrojtja ndaj rrezeve të diellit është shumë e rëndësishme gjatë gjithë vitit, por gjatë verës bëhet më kritike. Është e domosdoshme të zgjedhësh kremin e duhur sipas tipit të lëkurës, por po aq e rëndësishme edhe të zgjedhësh ushqimet e duhura për këtë periudhë.

Po cilat janë ushqimet që të mbrojnë nga rrezet UV?

Vaji i ullirit: Vaji i ullirit është i pasur me vitaminë E, e cila siguron mbrojtje kundër stresit oksidues dhe është provuar se zvogëlon dëmtimin e lëkurës nga rrezatimi UVB. Kohët e fundit, shumë studime kanë dalë në konkuzionin se ka shumë rëndësi konsumi i vajit të ullirit në luftën kundër efekteve të dëmshme të diellit. Kështu që vaji i ullirit duhet përfshirë në të gjitha gatimet. Shto vaj ulliri të ftohtë në sallatë ose në perime të pjekura.

Arrat

Arrat janë të pasura me Omega-3, që gjithashtu siguron një mbrojtje të lartë kundër rrezeve të dëmshme të diellit dhe dëmtimit të lëkurës. Arrat ripërtërijnë shtresat e sipërme të lëkurës, por po ashtu ndihmojnë në luftën kundër rrezeve UV duke parandaluar qelizat e vdekura.

Molla

Mollët ​​kanë vlera të jashtëzakonshme kundër inflamacionit, stresit oksidativ, por edhe ndihmojnë sistemin imunitar. Mollët janë të pasura me antioksidantë, pastrojnë qelizat e vdekura nga lëkura dhe i japin asaj shkëlqim. Mjafton vetëm një mollë në ditë dhe lëkura do të ndryshojë pamje.

Brokoli

Ashtu si molla, brokoli është një tjetër kampion i polifenoleve, madje kryeson listën e perimeve për polifenolet. Brokoli siguron mbrojtje edhe kundër qelizave të kancerit. Nga një studim i fundit i kryer në Amerikë, u arrit në konkluzionin se brokoli aktivizon sistemin e mbrojtjes të lëkurës sonë ndaj ekspozimit të rrezeve UV.

Uji

Pija e mrekullueshme që hidraton lëkurën është uji. Konsumi i 2 litrave deri në 2.5 litra ujë në ditë do të shpëtojë qelizat e lëkurës së vdekur dhe do të krijojë një ton të pastër të ngjyrës së lëkurës. Uji është si një shtresë e sipërme e lëkurës që e mbron atë nga rrezet e dëmshme të diellit.