Transmetuar më 14-08-2017, 12:30

Në shtator Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë funksionale për qytetarët. Për pak ditë pritet të hapet edhe segmenti më i rëndësishëm i saj, i cili lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke i dhënë zgjidhje kështu problemit të trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.

Pas përfundimit të veprës së mbikalimit te zona e Shkollës Teknologjike, punimet janë në 600 metrat e fundit që përshkojnë zonën e Selitës dhe që e lidhin Unazën me pjesën ekzistuese në afërsi të Kopshtit Botanik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot punimet dhe u shpreh i kënaqur me ritmin me të cilin po ecin ato.

“Ky është një projekt jetik për qytetin, një arterie kryesore e cila sjell trafik, duke lidhur dy pika, Farkën dhe Kasharin, dy zona të populluara të Tiranës, pra gjithë zonën e Kodrës së Diellit, Kristalit, Njësinë 5 me Kombinatin Ushqimor. Sigurisht, ky është një projekt i madh, që do të thotë se edhe ritmi që kemi pasur në kaq pak muaj ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndaj jam shumë krenar për të gjithë kolegët, nga inxhinierët deri tek punëtorët më të thjeshtë, që kanë punuar ditë e natë, një pjesë e madhe prej tyre kanë sakrifikuar pushimet e verës, që kur pjesa tjetër e Tiranës të kthehet nga pushimet, ta gjejë këtë aks të përfunduar”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai bëri të ditur se veç punimeve për pjesën kryesore të këtij projekti, në shtator do të kenë përfunduar punimet edhe për të gjitha elementët e tjerë shtesë dhe sekondar, siç janë ndriçimi, rrugët dytësore, trotuaret apo mbikalimet për këmbësorët.

“Ambicja jonë është që para fillimit të vitit shkollor, të kemi përfunduar të gjitha punimet në Unazën e Madhe të Tiranës, që lidh zonën nga Kombinati Ushqimor, deri te zona e Lundrës. Do u kërkoj të gjithë qytetarëve pak durim, bëhet fjalë për punime me makineri të rënda, për shpronësime, për infrastrukturë jetike për qytetin, do të thotë se na duhet jashtëzakonisht shumë bashkëpunim”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të nisë aksionin për mbylljen e të gjitha hyrje/daljeve të paligjshme në akset kryesore rrugore të qytetit, të cilat janë një burim rreziku për jetën e qytetarëve.

“Bashkia e Tiranës do të fillojë një operacion për të mbyllur të gjitha ndërprerjet e paligjshme në autostradat që janë në territorin e Tiranës, duke nisur nga autostrada Rinas-Tiranë, te rruga “Dritan Hoxha”, të gjithë akset kryesore të Tiranës. Është e pamundur që të kemi një qytet funksional, me 190 mijë makina në Tiranë, plus ato që vijnë nga rrethet, nëse në çdo 100 metra, dikush çan autostradën, dikush bën një gomisteri, dikush rrotat, dikush tjetër bën servis, dikush lavazh. Kjo nuk ka sens”, tha Veliaj. /b.l/noa.al/