Transmetuar më 14-08-2017, 12:01

Partia Demokratike i kërkoi sot Parlamentit që të nisë procedurat për heqjen e imunitetit të deputetit Aqif Rakipi, pasi shkaktoi një aksident dy ditë më parë ku përplasi për vdekje një person në Vorë.

“Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kreut të Parlamentit të nisin urgjent procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit Rakipi, dhe një hetim të plotë dhe të pandikuar të ngjarjes, në mënyrë që të ketë drejtësi për viktimën”.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, thuhet se Rakipi rrezikon një vit burg, sipas Kodit Penal, pasi u largua nga vendi i ngjarjes.

“Neni 273 i Kodit Penal, i cili është në fuqi edhe për miqtë e Edi Ramës, dikton se Aqif Rakipi mban përgjegjësi edhe për largim nga vendi i aksidentit, përgjegjësi që në vetvete dënohet deri në 1 vit burgim”, thuhet më tej në deklaratë.

Partia Demokratike shprehet se sipas saj mbarë opinioni publik është i revoltuar se si gjithë shteti është vënë deri tani në shërbim të deputetit mik të Ramës, dhe në kurriz të viktimës.

“Gjithçka për ta paraqitur viktimën fajtor të aksidentit dhe fajtorin viktimë. Largimi nga vendngjarja pas përplasjes për vdekje të Seit Sorrës, përveçse akt burracak i deputetit Rakipi, është edhe vepër e pastër penale që e rëndon pozitën e tij para ligjit.

Por miku i kryeministrit po përfiton nga Edi Rama i cili është në vijim të qëndrimeve të tij të njohura, pranë krimit e larg qytetarëve. Për më tepër, që deputeti Rakipi njihet si pikë kyçe e ndërlidhjes së Edi Ramës me trafiqet”, përfundon deklaratën PD. /b.l/noa.al/