Transmetuar më 14-08-2017, 11:34

Barcelona vazhdon të nxehë merkaton europiane, me blaugranat që janë në kërkim të zëvendësuesit të denjë të Neymar, i transferuar te Paris Saint Germain për shifrën rekord të 222 milionë eurove.

Sipas spekulimeve në Spanjë, katalanët i kanë përqendruar forcat te afrimi i mundshëm i Eden Hazard. Mesfushori i Chelsea-t është përfolur prej kohësh si një alternativë në “Camp Nou”.

Blutë e Londrës nuk e cilësojnë të pashitshëm belgun, përkundrazi ia kanë bërë të qartë Barcelonës se mund ta blejë nëse paguan 120 milionë euro.

Madje, pretendimet financiare të anglezëve do të uleshin edhe më tepër, nëse në marrëveshje do të përfshihej edhe Sergi Roberto. Antonio Conte është një admirues i 25-vjeçarit, i cili zëvendësoi denjësisht Dani Alves te spanjollët.

Nëse Barcelona është e gatshme të plotësojë kërkesat financiare të Chelsea-t, atëherë Eden Hazard do ti bashkohej sulmit blaugrana përkrah Leo Messit dhe Luis Suarez.

Ylli belg duket e vetmja alternativë konkrete, edhe sepse pistat drejt emrave të tjerë të përfolur janë të bllokuara.