Transmetuar më 14-08-2017, 10:07

Përmirësohet dukshëm situata e zjarreve në të gjithë vendin. Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 5 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

Emergjencat Civile bëjnë me dije se “reshjet e rëna gjatë natës kanë ndihmuar për të shuar plotësisht zjarret në disa zona”. 

Qarku Vlorë 

Janë aktive vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq dhe Delvinë. Situata ka qenë problematike në fshatin Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, Njësia Administrative Dhivër, bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo, Njësia Administrative Vergo, bashkia Delvinë. Helikopteri ka kryer disa operacione nga ajri duke hedhur ujë dhe ka shuar gati të gjitha vatrat e zjarrit në fshatin Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme. 

Qarku Korçë 

Ka rënë zjarr në pyllin me pisha të larta në vendin e quajtur Pisha e Panaritit në fshatin Panarit, Njësia Administrative Vithkuq, bashkia Korçë. Në vendngjarje kanë shkuar 1 automjet zjarrfikës dhe forca zjarrfikëse, si dhe 12 forca të pyjores, të cilat nuk kanë mundur të izolojnë zjarrin për shkak të terrenit të thyer. FA ka dërguar në këtë fshat 20 forca ushtarake për të shuar zjarrin. Helikopteri kreu disa operacione ajrore duke bërë të mundur që të izolonte zjarrin në fshatin Panarit dhe të eliminonte përhapjen e tij. Sot forcat po punojnë për të shuar plotësisht zjarrin. 

Qarku Shkodër 

Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra që ndodheshin midis banesave në lagjen “Suma” të Njësisë Administrative Bushat, bashkia Vau-Dejës. Shërbimi vendor i MZSH Vau-Dejës meqenëse nuk disponon automjet zjarrfikës ka dërguar në vendngjarje 10 forca zjarrfikëse, kurse Shërbimi vendor i MZSH Shkodër ka dërguar për ndihmë 1 automjet zjarrfikës dhe 4 forca zjarrfikëse, të cilat kanë punuar duke izoluar fillimisht zjarrin dhe më pas e kanë shuar plotësisht atë. Si pasojë e zjarrit u dogjën vetëm shkurre dhe ferra. 

Qarku Lezhë 

Ka rënë zjarr në kallamishtet e kanaleve ujëmbledhës që ndodhen ndërmjet banesave në fshatin Tale, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë. Shërbimi vendor i MZSH Lezhë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues, të cilët kanë punuar për të shuar zjarrin, por era e fortë ka bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi duke rrezikuar banesat. SHPFA ka dërguar 2 automjetet zjarrfikëse me 10 forca zjarrfikëse në fshatin Tale. Forcat zjarrfikëse kanë punuar me automjetet zjarrfikëse dhe kanë shuar zjarrin duke eliminuar rrezikun e përhapjes së tij drejt banesave. 

Qarku Dibër 

Ka vazhduar puna nga forcat zjarrfikëse, forca të pyjores, 25 forca të ushtrisë dhe 16 forca vullnetare, të cilat kanë shuar plotësisht vatrat aktive të zjarrit në fshatin Bllacë, Njësia Administrative Shupenzë, bashkia Bulqizë. Vatrat e zjarrit janë shuar edhe si rezultat i reshjeve të rëna gjatë orëve të para të ditës së djeshme.