Transmetuar më 14-08-2017, 08:54

Nishanet janë disa shenja në lëkurë ose të dala mbi lëkurë, që shpesh rrezikojnë të kthehen në sëmundje kancerogjene të rrezikshme.

Dermatologët këshillojnë, se nëse vërejmë ndryshime në formën, madhësinë, ngjyrën e nishanit duhet t’i drejtohemi menjëherë mjekut për një konsultë të specializuar.

Nishanet mund të bëhen të rrezikshëm për shëndetin atëherë kur afër tij zhvillohet melanoma, kanceri i lëkurës. Ndër shkaktarët kryesorë të shfaqjes së melanomës është ekspozimi i shumtë në rrezet ultraviolet të diellit.

Prandaj gjatë ditëve me diell dhe temperatura të larta, duhet treguar kujdes i madh për mbrojtjen e lëkurës në mënyrë që ajo të mbetet e shëndetshme.

Këshilla nga dermatologët

– Përdorni kremra me faktor mbrojtës nga 30-50 SPF në të gjithë lëkurën që ekspozohet në diell, rivendoseni kremin mbrojtës çdo 2 orë nëse jeni në plazh, pas notit dhe nëse djersiteni shumë.

– Vishni veshje mbrojtëse, mbani syze me xhama të errët dhe kapele me strehë të madhe.

– Tregohuni të kujdesshëm afër rërës, ujit, madje dhe borës në dimër sepse ato reflektojnë rrezatimin diellor dhe rrisin shanset e djegies së lëkurës.

– Merrni vitaminën D duke përdorur një dietë të shëndetshme, mjaftojnë 10-15 minuta në ditë rrezatim që trupi juaj të plotësojë nevojat për Vitaminën D.