Transmetuar më 13-08-2017, 16:31

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar sot në Beograd, se Serbia në negociatat me Bashkimin Evropian ka edhe kapitullin 35, i cili ka të bëjë me Kosovën, dhe se kjo nuk guxon të harrohet dhe për këtë arsye mendon se Serbisë i duhet dialogu i brendshëm për Kosovën.

Pas takimit me raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, David McAllister, Vuçiç tha se çështja kyçe është Kosova, e më pas raportet e Serbisë me Rusinë, politika e jashtme, sundimi i i ligjit, dhe se Serbia duhet të ballafaqohet me të gjitha këto çështje.

“Serbia është në rrugën evropiane, sepse dëshirojmë t’i takojmë kësaj shoqërie”, tha Vuçiç duke shtuar se “e dimë se kemi vështirësi, të cilat vendet e tjera nuk i kanë pasur, askujt nuk i bëhen pyetje të tilla ashtu si neve për Kosovën dhe këtë e kemi ditur, kjo nuk është risi”.

Më tej, Vuçiç tha se “këtë nuk guxojmë ta harrojmë”, raporton agjencia Beta nga Beogradi.