Transmetuar më 13-08-2017, 09:01

Urimin për një ditë të mbarë për të gjithë shqiptarët, kryeministri Edi Rama e ka bërë sot me pamje nga nga Kepi i Rodonit.

“Mirëmëngjesi dhe me këtë pamje të kalasë në Kepin e Rodonit ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Mirëpo, disa komentues e kanë akuzuar atë se ka kapur drejtësinë, pas lirimit të deputetit Aqif Rakipi, i përfshirë dje në një aksident me pasojë vdekjen e një qytetari.

“E ke kapur drejtësinë. Ai deputeti nuk bëri asnjë ditë burg. Mirë ia bën këtij populli, jepi!”, shkruan një prej komentuesve.

Ditën e djeshme deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi, u përfshi në një aksident, ku me mjetin e tij  përplasi për vdekje një kalimtar i identifikuar si Seit Storra, 54 vjeç, banues në Kus të Kasharit.

Po ashtu mësohet se viktima ka qenë tregtar në afërsi të zonës ku ndodhi edhe aksidenti i rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, deputeti Rakipi shkoi vetë në polici për të raportuar atë që kishte ndodhur.

Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar hetim në gjendje të lirë për deputetin. Sipas organit të akuzës, deputetit i është prerë rruga nga kalimtari dhe nuk kishte asnjë mundësi manovrimi në momentin e ngjarjes. /b.l/noa.al/