Transmetuar më 12-08-2017, 16:49

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherazi kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një statusi në Facebook ka drejtuar akuza ndaj ndërkombëtarëve, duke thënë se ata janë më shumë të interesuar për stabilitet, qoftë ai i menaxhuar nga krimi, sesa për një qeverisje, e cila në mënyrë të pavarur lufton krimin.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë e koalicionit me PDK-në për qeverisje qendrore, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosjes ka kërkuar t’i qartësojnë qëndrimet e tyre për shumë akuza, sulme dhe veprime të dhunshme, por edhe për çështje programore.

Mustafa ka thënë se koalicioni LAA nuk është duke mbajtur peng formimin e institucioneve, pasi sipas tij situatën po e mban peng Koalicioni PAN.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq, PDK, VV, AAK, Nisma si inicuese, Lista Serbe, të gjithë së bashku të bashkërenditur organizuan dhe i shpallën mosbesim Qeverisë së drejtuar nga LDK. Emëruesi i përbashkët i koalicionit te tyre anti-LDK shpjegohet me faktin se nuk shihnin interes që Kosova të ketë një Qeveri që lufton krimin dhe siguron zhvillimin ekonomik.

U vërejt që edhe ndërkombëtarët, të cilët e kanë plot gojën luftë kundër krimit dhe korrupsionit, se në fakt janë më shumë të interesuar për stabilitet, qoftë ai i menaxhuar nga krimi, sesa për një qeverisje e cila në mënyrë të pavarur lufton krimin. Prandaj edhe ndodhi kjo që ndodhi.

PDK-së, AAK-së e Nismës iu rrezikohej kapja e shtetit nga njerëzit që i kanë të instaluar në institucione. Kurse, VV i shfrytëzoi këto parti për të justifikuar përdorimin e dhunës për ardhje në pushtet. Argat të tyre ishin edhe disa deputet të LDK-së.

Lista Serbe i fërkoi duart se tani do të jenë faktor kyç, ata dhe Beogradi, në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës. Shfrytëzuan mendjelehtësinë e atyre që thirreshin në vendime të mëdha!?

Rezultoi se llogaritë, sondazhet, këshillat e të gjithëdijshmëve, materiali propagandues iu dolën të gabuara!

Ishte kjo e vetmja qeveri e pasluftës e drejtuar nga LDK-ja, ndaj së cilës u ushtrua dhunë e paparë.

U sulmuan institucionet, u sulmua familja, shtëpia dhe eskorta e Kryeministrit, u sulmuan disa ministra. Opinioni heshti. Heshtën edhe organet e ligjit.

Vota e mosbesimit nënshkroi certifikatat e dhunës dhe të ideatorëve të saj.  Këto ditë ata që organizuan të gjitha këto pisllëqe dhe komplote kërkojnë që LDK-ja t’u bashkëngjitet për të bërë institucionet, bile edhe po kanë fytyre (të pafytyrët) të fajësojnë LDK-në se ajo qenka tani bllokuesja.

Është e qartë se LDK nuk e shkaktoi këtë situatë, se LDK nuk e ka mandatin për Kryetar të Kuvendit dhe as radhën e parë për nominim të Kryeministrit. Prandaj Koalicioni i LDK -së s'ka si ta bllokojë e as si ta zhbllokojë situatën. Situatën po e mban peng Koalicioni i PDK-së.

Të gjithë ata që kanë iluzione se me zhagitje të proceseve, para apo pas zgjedhjeve lokale, do të ndryshojnë qëndrimin e LDK së mashtrohen kot! Në asnjë rrethanë nuk bëjmë koalicion me PDK-në për qeverisje qendrore. Sa i përket Vetëvendosjes, do të kërkojmë që ti qartësojnë qëndrimet e tyre për shumë akuza, sulme dhe veprime të dhunshme por edhe çështjet programore. Në ditët në vijim do të adresojmë çështjet specifike. IM