Transmetuar më 12-08-2017, 13:34

Pas debatesh në distancë, ministria e Drejtësisë ka marrë në dorëzim të gjithë byzylykët e mbikqyrjes elektronike për të dënuarit. Po ashtu, ministria e Drejtësisë ka marrë edhe aprovimin nga kompania për instalimin e serverit qëndror të sistemit elektronik pranë këtij institucioni.

Por nuk mjafton me kaq. Pas posedimit të byzylykëve, ministri i Drejtësisë kërkon nga Departamenti i Administratës Publike shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, si person përgjegjës për situatën, si dhe do të paraqesë kallëzim penal në prokurori për shpërdorim detyre

 Pjesë e masave ndëshkimore është edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, për të cilin është urdhëruar shkarkim nga detyra.

“Nga verifikimi i procedurës dhe situatës së krijuar, konstatohet shkelje e ligjit dhe përgjegjësi disiplinore për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha, për shkak të mos ndjekjes së procedurës së nevojshme ligjore për këtë proces të rëndësishëm për sigurinë publike pas nënshkrimit të kontratës dhe lëvrimit të fondeve financiare përkatëse nga Buxheti i Shtetit.

Nga ana tjetër, hetimi administrativ ka evidentuar përgjegjësi disiplinore edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës z. Ilir Qafa, për shkak të lejimit të dhënies në administrim të kompanisë private të pajisjeve në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në përfundim të kolaudimit, janë marrë në posedim 72 byzylykë të pa përdorur më parë dhe 63 byzylykë të përdorur por në gjendje pune. Ndërkohë, 86 byzylykë janë aktualualisht në përdorim nga subjektet nën mbikëqyrje elektronike. /k.k/noa.al/