Transmetuar më 12-08-2017, 10:30

Partia Demokratike reagon lidhur me aksidentin me pasojë vdekje, të ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Vorë-Tiranë, ku i dyshuar është deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi.

PD kërkon zbardhje dhe transparencë të plotë të një ngjarjes, ku të dhënat janë se deputeti Aqif Rakipi ka aksidentuar për vdekje me makinë një person.

Kjo parti thotë se, ka dyshime serioze se ngjarja po përpiqet të mbahet e fshehtë dhe të manipulohen provat dhe vendngjarja në favor të deputetit që njihet si mik i ngushtë i Kryeministrit Edi Rama.

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë publike ngjarjen dhe i kërkon prokurorisë hetim të plotë e të pandikuar politikisht.

“Të dhënat janë se deputeti mik i Ramës ka qenë me shumë shpejtësi kur ka përplasur për vdekje personin dhe është larguar edhe nga vendngjarja me makinën e tij. Prishja e vendngjarjes do t’ju sjellë vështirësi eksperteve në përcaktimin e shkaqeve te aksidentit”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet, se për këtë arsye PD kërkon hetim e përgjegjësi të plotë para ligjit për deputetin dhe drejtësi për viktimën. /a.y/noa.al