Transmetuar më 11-08-2017, 14:14
Publicitet

Bashkia e Tiranës vijon aksionin për bllokimin e pikave të karburantit që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë

Ashtu si dje kur u bë bllokimi i karburantit “Veliaj Petrol”, edhe sot janë kontrolluar pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante që nuk disponojnë licencë apo që kanë pasur mangësi në dokumentacion.

Që në orët e para të mëngjesit, institucionet e Bashkisë së Tiranës kanë bllokuar dy pika që tregtojnë karburant në zonën e Zogut të Zi, ndërkohë që gjatë gjithë ditës vijoi puna për kontrollin dhe bllokimin e të gjitha pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.

Aksioni i Bashkisë së Tiranës ka dhënë rezultatet e para pozitive, ku një pjesë e bizneseve të mëdha të tregtimit të karburanteve me pakicë kanë nisur pagesat dhe kanë filluar procesin e plotësimit të dokumentacionit për t’u pajisur me licencë, sipas legjislacionit në fuqi.

Aktualisht, në qytetin e Tiranës e ushtrojnë këtë aktivitet 173 subjekte të palicencuara, të cilat në rast të mospajisjes me licencën përkatëse ose nëse do të tentojnë që të ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugët kryesore urbane, duke formuar xhepa për makinat, në kundërshtim me ligjin dhe pa lejet përkatëse, do të bllokohen menjëherë nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje subjekteve në fushën e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, që të aplikojnë për t’u pajisur me lincencë konform legjislacionit në fuqi.

Loading...