Transmetuar më 11-08-2017, 12:49

Në një kohë që vendi është përfshirë nga zjarre masive ku gjatë ditës së sotme numërohen 19 të tillë, vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Ashtu siç ka bërë dhe disa ditë të tjera, ku ka përshëndetur aksionet në terren, kreu i qeverisë Edi Rama, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të përshëndetur punën e ushtrisë.

Ai ka publikuar fotografinë e dy vajzave ushtare në Facebook, në betejë me flakët.

“Ushtar i I, Vangjeli Limallari 20 vjeç dhe Ushtar i I, Ornela Shaba 22 vjeç; dy ndër shumë heronjtë e këtyre ditëve të vështira përballjesh me zjarret, në kushte klimaterike asfiksuese. Mirënjohje për ta dhe respekt për punën e tyre në shërbim të vendit”, shkruan Kryeministri Rama.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 19 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 124 punonjës zjarrfikës, 22 automjete zjarrfikëse, 110 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, mbi 45 vullnetarë banorë të zonave të prekura, 137 punonjës të Pyjores, të bashkive etj., të mbështetur dhe nga helikopterë. /a.y/noa.al