Transmetuar më 11-08-2017, 12:00

Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” në kryeqytet po ecën me ritme të shpejta dhe brenda 15 muajsh do të jetë gati të hapë portat për të mirëpritur skuadrat dhe tifozët.

Punimet, të cilat janë në fazën e montimit të strukturës së çeliktë, u ndoqën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nga arkitekti italian, Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit.

Pasi u njoh me detajet e projektit dhe afatet e realizimit të tij, Veliaj tha se stadiumi i ri do të jetë xhevahiri i ri i Tiranës, duke lajmëruar përfundimin e tij për pak më shumë se një vit.

“Jam i kënaqur, do jetë një xhevahir për Tiranën dhe besoj që kritikët do zhgënjehen, kurse dashamirësit do mrekullohen. Për të gjitha palët do të jetë një habi, ndaj duhet të kemi pak më shumë besim tek puna e njerëzve të mirë. Vërtetë është talenti i tij dhe i një skuadre arkitektësh me famë botërore, por stafi është shqiptar, punëtorë, inxhinierë e furnitorë shqiptarë dhe i gjithë ky investim në fakt është një investim në ekonominë shqiptare”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku e cilësoi ndërtimin e stadiumit të ri si një nga investimet më inteligjente të qeverisë shqiptare, që jo vetëm ruan fizionominë fillestare të stadiumit të vjetër, por njëkohësisht i shton një tjetër vlerë kryeqytetit.

“Çdo gur është numëruar për t’u rivendosur sërish dhe për ta ruajtur fasadën, por për të pasur gjithashtu një stadium modern, pa dyshim një ndër më modernët sot në Europë. Mezi pres që në fund të këtij ‘operacioni’, të gjithë ata që kritikuan dhe prodhuan gjithë atë histeri të zhgënjehen pozitivisht, e po kështu të gjithë ata që e deshën këtë projekt që nga fillimi, të ndihen krenarë që mbështetën një Shqipëri e një Tiranë që punon e po ndryshon”, tha ai.

Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” do t’i japë zgjidhje edhe çështjes së parkimit të automjeteve në qendër. Projekti parashikon ndërtimin e një parkimi nëntokësor me kapacitet 200 vende.

“Si Bashki e Tiranës do t’i bashkohemi projektit të stadiumit me parkimin nëntokësor për 200 vende, i cili do të funksionojë 7 ditë të javës. Sigurisht, frekuentimin më të madh do ta ketë gjatë kohës së ndeshjeve, por siç pamë, edhe parkimi mbitokësor i Bashkisë ishte një sukses, zgjidhi një pjesë të madhe të problematikës. Parkimi nëntokësor do të ketë dyfishin e vendeve, me 200 vende parkimi”, u shpreh kreu i bashkisë.

Arkitekti Casamonti, sqaroi se tashmë ka përfunduar gjysma e punimeve, ndërsa vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin me të cilën kanë punuar kompanitë shqiptare në këtë investim ambicioz.

“Arena Kombëtare” është një nga kandidaturat zyrtare të UEFA-s për zhvillimin e finales së Superkupës së Europës 2019.