Transmetuar më 10-08-2017, 12:31

Kryeministri Edi Rama thotë se shteti është në krye të detyrës, ndërkohë që publikon disa fotografi nga aksionet për shuarjen e zjarrit.

Rama shkruan se vijojnë aksionet për vënien nën kontroll dhe shuarjen e vatrave të zjarreve në këto ditë temperaturash ekstreme, të cilat kanë ndikuar rëndësishëm në një situatë të paprecedentë zjarresh në mbarë Mesdheun.

“Për përballimin e situatës janë angazhuar deri më sot 8261 vajza e djem nga Emergjencat Civile, Forcat Zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, stafet e bashkive si edhe vullnetarë, të mbështetur me 973 mjete tokësore dhe 5 mjete ajrore (2 helikopterë dhe 3 avionë). Situata mbetet e vështirë edhe për ditët në vijim që vala e të nxehtit të jashtëzakonshëm do të jetë prezente në territorin tonë”, shkruan Rama në Facebook.

Ai shton se nuk ka dyshim se kapacitetet tona mbeten të ulëta përballë këtij kërcënimi kaq serioz dhe në katër vitet e ardhshme do të bëhen përpjekje serioze për rritjen e këtyre kapaciteteve.

Sidoqoftë, faktet flasin vetë qoftë për punën kolosale që është bërë në kushte tejet sfiduese, “qoftë për kujet e krismat digjitale të atyre që duhet të japin llogari e jo të kërkojnë llogari”.

Më tej Rama shprehet se nga 280 vatrat e zjarrit në të cilat ka qenë e nevojshme ndërhyrja e strukturave shtetërore, sot janë aktive vetëm tetë prej tyre dhe ky numër pritet të ulet në orët në vijim falë gatishmërisë maksimale, koordinimit të plotë dhe bashkëpunimit të lartë mes institucioneve vendore e qendrore. /a.y/noa.al