Transmetuar më 10-08-2017, 09:25

Ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili vijon sërish shigjetimet ndaj Kryeministrit Edi Rama.

“Kryeministri u kthye nga emigracioni, informojeni… Para viteve ‘90 shokët e byrosë politike nuk e dinin që populli hante bukë me tollon dhe varfëria ishte kthyer në mjerim”, shkruan Vasili në Facebook.

Ai shton se, sot, Kryeministri ynë, njësoj si shokët e byrosë vetëm tani mori vesh që Tirana ka papunësi dhe infrastruktura është copë-copë.

Duke i’u referuar raportit të dëgjesave të publikuar prej Kryeministrit, Vasili thotë se qytetarët prej katër vitesh dinë edhe shumë më shumë se ai:

-që Tirana vuan dhe për ujë;

-që dhjetëra rrugë e trotuare edhe në zemër të Tiranës janë për turp;

-që në dhjetëra qoshe, sheshe e rrugë shpërndahet drogë;

-që përpara çdo shkolle ka qindra prindër e gjyshër që presin fëmijët se s’ka siguri;

-që dhjetëra shkolla s’kanë ngrohje etj etj.

Ai e mbyll qëndrimin duke thënë se, Kryeministrit i duhet çuar haber më shpesh për çfarë ç’ndodh në Shqipëri pasi ai nuk ndodhet këtu, “ndaj dëgjesat, alias dënglat, bëjani pa kursim që të njohë Tiranën tonë të paktën, se Shqipëria tjetër është larg shumë…” /a.y/noa.al