Transmetuar më 09-08-2017, 16:38

Kryeministri Edi Rama mori sot një telefonate nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

Sekretari Tillerson e uroi Kryeministrin për fitoren në zgjedhje. Ai shprehu bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit.

Duke i shprehur Kryeministrit të gjithë mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari i Shtetit i përcolli Ramës përshtypjet pozitive të Zëvendës Presidentit Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi.

Ai rikonfirmoi vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama e falenderoi për telefonatën dhe i bëri një pasqyrë të plotë të situatës rajonale nga këndvështrimi i vendit tonë, duke u përqendruar kryesisht tek dialogu Kosovë- Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë.

Në pjesën e fundit biseda u shtri tek roli i Shqipërisë në NATO, kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku Sekretari Tillerson u shpreh me konsideratat më të larta.

Ndërsa Kryeministri Rama kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA ne sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit, çka u prit me shumë interes nga Tillerson.

Biseda telefonike mes tyre zgjati rreth njëzetë minuta. /a.y/noa.al