Transmetuar më 08-08-2017, 16:56

Prej 4 ditësh, dhjetë familje në fshatin Trodhen në Bushkash rrezikohen nga zjarri që ka përfshirë një masiv me pisha pranë shtëpive të tyre.

Ndonëse apeli për ndihmë i banorëve të zonës ka qenë i vazhduar, ende nuk është mundësuar shuarja e flakëve.

Gjatë ditës së sotme, flakët e zjarrit janë përhapur edhe më tej, duke u afruar shumë pranë banesave.

Kryefamiljari i familjes Sefgjini thotë se zjarri është vetëm, disa metra larg banesës së tij, ndërsa ka bërë apel për ndihmë.

"Duam ndihmë pasi rrezikojmë të digjemi. Zjarri ka mbërritur vetëm pak metra larg banesës sonë", shprehet ai.

Drejt zonës janë nisur 25 forca të ushtrisë nga Mati për të shuar zjarrin, por ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit të thyer.

Banorët e zonës thonë se zjarri rrezikon jo vetëm ata, por edhe disa stane në zonë dhe bagëtitë e tyre.