Transmetuar më 05-08-2017, 14:32

Vendimi i kreut të qeverisë, Edi Rama, për të anuluar vendimet e ministrit teknik të Drejtësisë, është i bazuar në ligjin numër 9000 të vitit 2003.

Sipas këtij ligji, kreu i qeverisë ka të drejtë të anulojë vendimet e ministrave, apo drejtuesve të institucioneve në rastet kur konstaton shkelje të Kushtetutës, ligjeve apo akteve të tjera të Këshillit të Ministrave, shkruan “Panorama”.

Në nenin 2 të ligjit “Për organizimin dhe funksionin e Këshillit të Ministrave thuhet se: “Kryeministri, përveç kompetencave të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe këto kompetenca:

a) përfaqëson dhe drejton Kryeministrinë;

b) u kërkon ministrave përgjegjës shpjegime, relatime dhe verifikime administrative, për çështje të fushës që ata mbulojnë;

c) pezullon zbatimin e akteve të ministrave, të drejtuesve të institucioneve qendrore, në varësi të tij ose të ministrave, me nismën e vet ose me kërkesë të subjekteve të interesuara, kur konstaton shkelje të Kushtetutës, të ligjeve, ose të akteve të Këshillit të Ministrave”.

Në këtë rast ministri i Drejtësisë ka shkelur Kodin e Etikës, të cilin kreu i qeverisë e ka miratuar me VKM që në mbledhjen e parë kur formoi kabinetin e parë, në vitin 2013.

Sipas këtij Kodi Etik, çdo vendim i ministrave nuk mund të kalojë më parë pa aprovimin e kreut të qeverisë. Ndërkohë që në ligjin nr. 9000 theksohet se në mbledhjet e qeverisë, qëndrimi i ministrave: “Vlerësimet, debatet dhe raportimet mbeten konfidenciale”.