Transmetuar më 04-08-2017, 09:13
Publicitet

Për 4 ditë me radhë, nga 3 deri në 6 gusht, qyteti i Durrësit do të jetë vëmendja letrare mbarëkombëtare, vend i cili është zgjedhur sërish për të zhvilluar "Panairin Ndërkombëtar të librit shqip".

Është viti i dytë që ky panair organizohet në Durrës duke u kthyer tashmë në një aktivitet tradicional për qytetin bregdetar. Ky aktivitet organizohet nga shoqata kulturore artistike “Durana” në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit.

Në këtë panair që zhvillohet në shëtitoren Taulantia, buzë detit në sheshin e sfinksit marrin pjesë rreth 50 shtëpi botuese nga vendi dhe disa shtete të tjera.

Ky është një event që i shërben zhvillimit të turizmit kulturor të Durrësit i cili nuk ofron vetëm plazhet, detin dhe arkeologjinë por tashmë çdo vit kthehet edhe në qendrën letrare mbarëkombëtare.

E veçanta e këtij panairi është se libri shqip vjen jo vetëm nga Shqipëria e Kosova por edhe nga Greqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia etj ku botohen në shqip vepra të shkrimtarëve shqiptarë.

Drejtuesi i këtij eventi, poeti Aqif Hysa deklaroi se ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur ngushtësisht librin me turizmin përmes një Panairi tematik, i vetmi i këtij lloji për këtë qytet.

Ky panair ka bashkuar të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë. /b.l/noa.al/