Transmetuar më 03-08-2017, 11:18

Nga Reila Bozdo

Fëmijë të llastuar me nervat që u bëhen brenda sekondit tel, gati për ti çarë zemrën me thikë kujtdo që i mohon dorëzimin e një cope tel. Adoleshentë të dehur e të droguar, jashtë kontrrollit familjar e shoqëror, jashtë sistemit ku vlerësohet jeta si e shenjtë, të shndërruar në kamikazë të vërtetë që mund ti heqin jetën kujtdo, thjesht kot.

Vend socialist pa kujdes social, pa respekt për njeriun, profesionin, jetën… Njerëz që reagojnë si egërsira, tallin, dhe pak janë të prirur ta kafshojnë gjuhën e tyre përpara se të kalojnë tek gjuha e sherrit. Një klasë politike që i shërben veçse interesit mediokër të satelitëve të vet.

Ka sot mijëra prindër të terrorizuar me fëmijë, për të cilët nuk dinë ç’fat mund të kenë në këtë vend ku çdo ditë ka surpriza makabër dhe ku zbukurimi me ngjyra nuk duhet të ishte veç fasadë, por vetë jeta që shpresonim se do kishim kur zgjodhëm të jetojmë në Shqipëri.

Ajri është i ndotur; mjedisi shpesh i pisët, ushqimi i ndyrë, sjelljet janë qelbur deri në kriminalitet ekstrem. Rastet janë me shumicë, cdo ditë, prej kohësh, dhe asgjë nuk ndryshon.

Ndërsa politika flet për organizim, rikonceptim, numër ministrish dhe emra ministrash, ne të gjithë kemi në fakt një nevojë parësorë që duhet të prevalojë mbi gjithçka dhe këdo, që duhet të punojë pa pushim në çdo fushë, në koshiencë dhe subkoshiencë të çdo individi, të jetë në thelb të çdo sistemi, të jetë mendimi i parë dhe i fundit i çdo dite: kemi nevojë emergjente, të fillojë funksionimin me shenjtërinë që i takon, të fillojë punë që dje "MINISTRIA e JETES"!