Transmetuar më 29-07-2017, 17:07

Nga Dritan Kaba

Korret, "Vrite, vrite shqiptarin, që kroati të ngelet pa vëlla ", u zëvendësuan me : Puthu, puthu me Vuçiçin të krijojmë Jugosllavinë e Re.

Po e ekstradojnë kroatët ballist Morinën si përgjigje për Ramën dhe dashurinë e tij me Vuçiç? Kjo është pyetja që duhet të shtrohet sot.

Sa t’i kërkojë kryeministri Rama, kroatëve mosekstradimin, pas vendimit të gjykatës, gjë që në atë vend është e pamundur të ndodhë. Ai duhet t’i kërkonte dialoguesit të tij për krijimin e Jugosllavisë së Re, heqjen e mandatit të arrestit ndërkombëtar. Kjo do ishte më e thjeshtë.

Kroacia nuk luan me mandat arrestet ndërkombëtare si gjykatat tona, me porositë e liderit suprem.

Kroatët njihen si mbështetës të kombit shqiptar, kudo që ai jeton në Ballkan.

Por mbështetja që i ka dhënë kryeministri ynë i dashur dhe i nderuar, krijimit të Jugosllavisë së Re me lider Serbinë, është një rrezik i madh për vetë Kroacinë, në kufijtë e saj.

Kjo amalgame që krijon një potencial shumë të madh dhe të rëndësishëm ekonomik dhe politik për rivalët shekullorë të kroatëve, nuk mund të sjellë gjë tjetër veç këtë mënyrë sjelljeje.

Të mos lëmë edhe diçka jashtë kësaj. Kryeministri Rama ka takuar me dhjetra herë Vuçiçin, ndërsa, kërkova në google, e vetmja vizitë e Ramës në Kroaci daton para shtatorit 2013 dhe jo si kryeministër.

Kjo shmangie, e qëllimshme e marrëdhënieve dypalëshe siç duket është zëvendësuar me marrëdhëniet me Vllahutin.

Interesat strategjike të kombit shqiptar janë zëvendësuar nga "dëshirat" e liderit suprem.

Kryeministri ynë ka anashkaluar, siç duket me qëllim, marrëdhëniet me Kroacinë, të një rëndësie të veçantë dhe shumë të kruciale në Ballkan, me ato me Serbinë.

Dua të theksoj këtu edhe një fakt sinjifikativ. Korret e tifozave serbë në ndeshjen e "dronit " , Serbi – Shqipëri, ushëtonin me thirrjet: Vrite, vrite shqiptarin, që kroati të ngeli pa vëlla.

Të mos harrojmë që rëndësinë strategjike të këtyre marrëdhënieve e kanë bekuar dhe SHBA me nënshkrimin e marrëveshjes së Kartës së Adriatikut, e cila ishte edhe paradhoma për të dy vendet tona për hyrjen në NATO.

Duhet përmendur këtu edhe vizita e sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri, Colin Pawell me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, mes kryeministrave të tre vendeve, Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci.

Gjithashtu ftesa për në NATO iu bë të tre vendeve të Kartës së Adriatikut, por Maqedonia nuk u anëtarësua si pasojë e vetos greke, për shkak të emrit.

Kështu, nuk ka asgjë për tu çuditur nga reagimi kroat.

Kryeministri ynë i ka zbehur dhe i ka ftohur me logjikë të ftohtë politike marrëdhëniet me Kroacinë në shërbim të pastër e hapur për krijimin e Jugosllavisë së Re.

Asgjë nuk është e rastësishme, çdo veprim ka kostot e tij.

Atë e vuajnë shqiptarët.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al