Transmetuar më 28-07-2017, 10:11

 Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar në mbledhjen e fundit kriteret e reja për të përfituar ndihmën ekonomike.

Bëhet fjalë për përzgjedhjen e familjeve që do të përfitojnë nga fondi i kushtëzuar mbi programin e bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind, shkruan Gazata Shqiptare.

Përfituese të këtij vendimi do të jenë familjet në nevojë, të cilat do të përzgjidhen nga lista e familjeve që kanë aplikuar brenda tre muajve të fundit nëpërmjet regjistrit elektronik për ndihmën ekonomike dhe nuk janë shpallur fituese nga sistemi i pikëzimit. 

Përfituesit 

Numri total i përfituesve do të jetë i barabartë për çdo njësi administrative. Ndërkohë që nëse njësia administrative nuk plotëson numrin e familjeve në nevojë, struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki do të vlerësojë familjet më në nevojë nga njësitë e tjera. 

Përzgjedhja 

Për përzgjedhjen e fituesve do të përdoret edhe një sistem pikëzimi, ku përfshihet rajoni, i cili i referohet vendbanimit në zona rurale apo urbane. Prioritet do u jepet familjeve në zonat rurale, duke qenë se punësimi është më i ulët.

Pjesë e sistemit të pikëzimit do të jenë edhe karakteristikat e dosjes së aplikuesit, duke u dhënë prioritet kryefamiljareve të divorcuara me shumë fëmijë, kryefamiljareve të veja, pa punë, grave mbi 55 vjeç, burrave mbi 60 vjeç që jetojnë vetëm apo familjeve me fëmijë të vegjël.

Ndërsa pjesa e tretë e sistemit të pikëzimit i referohet historikut të dosjes, që lidhet me dokumentacionin dhe arsyet e refuzimit nga sistemi kombëtar i pikëzimit. 

Dokumentet

 Të interesuarit duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh pranë njësisë së qeverisjes vendore ku jetojnë, e cila do të përpunojë listën e përfituesve të mundshëm, duke vlerësuar dosjet për t’u trajtuar me këto fonde.

Në rast se familjet në nevojë dalin me pikë të barabarta, përzgjedhja do të bëhet nga specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale, të cilët do të vlerësojnë situatën social-ekonomike në terren të familjeve.