Transmetuar më 28-07-2017, 08:41

Të gjitha institucionet e dhënies së shërbimeve, mes tyre doganat, tatimet, hipotekat, etj, do t’i nënshtrohen një procesi “vetting-u”, për të parë punën e punonjësve të administratës.

Burime qeveritare bënë të ditur se skuadra që po punon për qeverinë e re, po harton një platformë vetingu për të gjithë punonjësit e shërbimeve ndaj publikut, duke filluar nga hipotekat, ku ky lloj vetingu i posaçëm do të aplikohet për herë të parë, shkruan Panorama.

Po ashtu të gjithë punonjësit e hipotekave, hetimit tatimor e të tjerë, do të rekrutohen apo rikonfirmohen me një proces konkursi të posacëm.

Në çdo institucion shërbimesh do të ngrihet një zyrë e posaçme antikorrupsion, ndërsa po mendohet edhe për një komision shtetëror të etikës së shërbimit të administratës ndaj publikut.

Një ditë më para, Kryeministri Edi Rama, mblodhi të gjithë drejtorët e hipotekës për t’ua thënë në sy që të japin dorëheqjen për shkak se nuk i janë përgjigjur me korrektësi ankesave të qytetarëve.