Transmetuar më 27-07-2017, 17:11

Astrit Patozi ka reaguar me anë të një statusi në “Facebook”, ku shkruan se ‘askush nuk e ka gëzuar manipulimin e votës”, duke iu referuar zgjedhjeve që u bënë në PD për kreun e kësaj force politike.

Ndërsa më tej, ai i është përgjigjur dhe ish-ministri i PD-së, Jemin Gjana i cili i ka kërkuar Bashës, që tu hapë ‘kutinë e zezë”, atyre që e kritikojnë.

“Dikush duhet t’i thotë Jeminit se gjyqtari nuk flet asnjëherë, nëse do që ndeshja të mos quhet e trukuar. Dhe ai nuk ishte gjyqtar i thjeshtë, por kryegjyqtar i Lulzim Bashës. Fakti që ai mendon se duke sulmuar kritikët e kryetarit po hap kutinë e zezë të Partisë Demokratike, është mjerimi dhe faqja e zezë e Lulzim Bashës dhe e gjithë procesit farsë të 22 korrikut. Dhe është gjithashtu një arsye më shumë se përse demokratët e nëpërkëmbur e kanë detyrim që të ngrihen e të marrin në dorë fatin e partisë së tyre”, shkruan ndër të tjera Patozi.

Statusi i plotë i Patozit

ASKUSH NUK E KA GËZUAR MANIPULIMIN E VOTËS

Manipulimet dhe deformimet flagrante të votës nuk i ka gëzuar askush në Shqipëri. Në të gjitha llojet e zgjedhjeve. Si kur kemi qenë ne në pushtet, ashtu edhe kur kanë “fituar” socialistët. E kujtova këtë histori, pasi shoh se Lulzim Basha po përpiqet më kot ta lërë të harrohet farsën e 22 korrikut për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.

Janë tashmë të provuara rastet e rënda të Vlorës, Korçës dhe Durrësit, ku rezulton se janë hedhur ne kuti më shumë se dyfishi i fletëve të atyre që kanë shkuar të votojnë. Por këto nuk kanë qenë raste të izoluara, sepse ajo ka qenë epidemi kombëtare. Të kërkosh ta fshehësh këtë flamë me iluzionin se shqiptarët janë me pushime dhe nuk e kanë shumë mendjen tani, është teprim i madh.

Sepse opozita nuk mund të jetë në asnjë rast me pushime. Nuk e ka këtë luks. Me vakanca le të shkojë qeveria, por ndoshta edhe ata që e ndihmuan Edi Ramën që të jetë sot politikani më i relaksuar, megjithëse ka qeverisur shumë keq. Në këtë përpjekje të dëshpëruar për të fshehur kokën në rërë nuk ndihmon as protagonizmi i Jeminit. Madje, ai bën të kundërtën, i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit.

Jo thjesht për cilësinë e ligjërimit, sepse ajo nuk habit askënd dhe ka pak rëndësi. Fakti që ai ka qenë njësoj si dikush tjetër nxënës i mirë në fillore apo që dikush nga ne nuk paska qarë sa duhet kur atë e hoqën nga lista e 2013-ës, nuk e bëjnë më të mirë farsën e 22 korrikut. Dikush duhet t’i thotë Jeminit se gjyqtari nuk flet asnjëherë, nëse do që ndeshja të mos quhet e trukuar.

Dhe ai nuk ishte gjyqtar i thjeshtë, por kryegjyqtar i Lulzim Bashës. Fakti që ai mendon se duke sulmuar kritikët e kryetarit po hap kutinë e zezë të Partisë Demokratike, është mjerimi dhe faqja e zezë e Lulzim Bashës dhe e gjithë procesit farsë të 22 korrikut.

Dhe është gjithashtu një arsye më shumë se përse demokratët e nëpërkëmbur e kanë detyrim që të ngrihen e të marrin në dorë fatin e partisë së tyre. Vetëm gara reale sjell bashkimin dhe ringritjen e shpejtë të Partisë Demokratike. Kjo ka për të ndodhur shpejt