Transmetuar më 27-07-2017, 16:34

Përmes një postimi në rrjetin e saj social “Facebok”, ish deputetja e PDIU, Mesila Doda i është përgjigjur ashpër deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha, i cili hodhi akuza në drejtim të PDIU për votat pro në këshillin bashkiak të Tiranës për rritjen e çmimit të ujit.

Mesila Doda e quan Bashën bashkëkryetar në qeverisje dhe i kujton me ironi të bëhet njëherë lider i PD e pastaj të kërkojë të bëhet lider i opozitës. Gjithashtu Doda thotë se nga marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës, PDIU i janë vjedhur në zgjedhje 3 mandate.

Reagimi i Mesila Dodes:

Kryetari i PD, ende në bashkëqeverisjen e lugës së 18 qershorit, sot akuzoi PDIU për votën e saj në Këshillin Bashkiak. Më së pari duhet ti kujtoj bashkëkryetarit të qeverisë që duhet të kalojë në opozitë, të behet lider i PD, e më pas të kërkojë të behet lider i opozitës.

Më duhet ti kujtojë se sot falë pazareve të tij me bashkëkryetarin tjetër të qeverisë, një mandat i PDIU vlen 25.000 vota, duke e bërë krejt të pabarabartë dhe diskriminuese garën mes nesh dhe partive të tjera.

Duhet ti kujtoj që falë pazarit të tij të natës së 18 qershorit dhe abuzimit me ligjin e kodin zgjedhor sot PDIU i janë vjedhur 3 mandate dhe kanë shkuar në kosh 40.000 vota, duhet ti kujtoj se nuk e tha një fjalë e heshti si fija e barit kur PDIU kërkoi hapjen e kutive të Tiranes duke parë vjedhjen flagrante të mandatit të saj në Tiranë, por votoi pro mos hapjes se kutive duke u bërë e vetmja opozitë në botë që nuk kërkon e nuk don transparencë.

Sot vazhdon ende teatri i radhës, ashtu si gjatë gjithë fushatës nuk godet ata që janë në qeveri, por ato që nuk janë në qeveri dhe në fund fare si gjithmonë… fajin e kanë të tjerët…