Transmetuar më 27-07-2017, 15:10

Policia e Sarandës ka goditur një grup që kryente vjedhje masive me armë e dhunë të banesave në fshatrat e Igumenicës në Greqi. Operacioni policor i koduar "Përtej kufijve" çoi në pranga 3 persona ndërsa një i katërt u shpall në kërkim.

Kapja e tyre u realizua në bashkëpunim me policinë kufitare greke, ndërsa grabitësit që lëviznin me një automjet tip “Tojota” kanë tentuar ti ikin uniformave blu.

Policia ka bërë kapjen dhe shoqërimin e tre shtetasve në Komisariatin e Policisë Sarandë, si dhe sekuestrimin e çantës dhe të automjetit.

Nga verifikimet e para të kryera nga Policia, në automjet rezultuan të ishin shtetasit: Gëzim E., 40 vjeç, banues në Sarandë, drejtuesi i automjetit, Nel Sh., 28 vjeç, banues në Bulqizë dhe Alfred H., 34 vjeç, banues në Durrës.

Nga kontrolli i ushtruar nga Policia në  çantë dhe në  automjetin tip Toyota ka rezultuar se kishte: 2 armë zjarri pistoletë, një model "TT" dhe një tjetër model "Zastava", 2 krehër pistolete me fishekë në brendësi, disa telefona celularë dhe bizhuteri të ndryshme.

Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim edhe me shtetasin K.B , i cili është shpallur në kërkim,  janë autorë të dyshuar të vjedhjeve të kryera në fshatrat e Igumenicës, Greqi. /b.l/noa.al/