Transmetuar më 27-07-2017, 13:20

Ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, vijon të shprehë mendimin e saj në rrjetet sociale lidhur me situatën në Partine Demokratike, edhe pas zgjedhjes për së dyti herë të Lulzim Bashës si kryetari i saj.

Por këto zgjedhje Topalli, si dhe shumë anëtarë të tjerë të PD, i kanë refuzuar dhe nuk i kanë pranuar. Ajo sot e ka quajtur Bashën, “eksperiment i dështuar në politikë”.

“Në kronikë do hyjë si eksperimenti më i dështuar i politikës shqiptare, që shënoi humbjen më të madhe të forcës së vet politike dhe që shkruajti (fallsifikoi si) fitoren më të madhe me mbi 90% brenda farsës së brendshme partiake. Prandaj qytetarët me ironi e quajnë Mr. 90%. Ndaj Lulzim Basha nuk ka marrë asnjë urim> shkruan ndër të tjera Topalli

Postimi i plotë i Topallit:

70% e anëtarësisë së PD nuk kanë marrë pjesë në farsën e Lulzim Bashës. Ata e kanë refuzuar me shumë përçmim. Lulzim Bashën nuk e ka uruar askush ( përveç Kukanit) edhe pse kanë kaluar tashmë 5 ditë. Që nga koha e çadrës kanë ndodhur shumë ngjarje. Lulzim Basha jo vetëm humbi zgjedhjet, por gjunjëzoi PD me një rezultat ku i mungonin 230 mijë vota ose 35% e votave nga 2013. Lista Basha mori më pak vota edhe se në 1997 kur nuk kishim komisionerë dhe nuk shkelnim në gjysmën e vendit, ose mori sa gjysma e mandateve që PD mori në 2009. Rezultati i 25 qershorit 2017 është humbja më e madhe historike jo vetëm e PD, por e gjithë forcave politike shqiptare në 3 dekada.

Por edhe pas këtij rezultati hutues e katastrofik LB nuk dha dorëheqjen siç e kërkon rregulli demokratik, morali dhe siç ndodh në çdo vend normal demokratik të botës; Ai shkeli dhe mbi precedentin e standardin e PD kur Sali Berisha dha dorëheqjen edhe pse kishte marrë çerek milion vota më shumë se pasardhësi i tij. LB shpalli vetëngrirjen nën shembullin e deputetit të PS Armando Prenga, pasi ky i fundit qëlloi me armë në komisariatin e policisë mbi qytetarët e tij.

Pas kësaj , thua se kishte fituar dhe jo pësuar disfatën e paralajmëruar, ai nisi një proces farsë- blic 3 javor në shkelje të dhunshme e flagrante të dispozitave të tëra të Statutit të PD për grabitjen e karriges së kryetarit të PD. Procesi do mbyllej me urgjencë, që askush të mos kishte kohë të pyeste e të analizonte se pse munguan 230 mije vota; që askush të mos ngrinte çështjen e marrëveshjes së fshehte të tij me Edi Ramën, që askush të mos merrte përgjigje se pse LB merrte vendime personale pa konsultuar asnjë forum të PD nga qendra në degë.. etj

Procesi farse nisi me një urdhër antistatuor të LB kur ia la dy nënkryetarëve demek menaxhimin e procesit; Farsa e zgjedhjes do bëhej pa kod zgjedhor që sipas statutit duhej të miratohej nga KK, pa listë të publikuar të anëtarësisë, me një Komision të besuarish të tij personal që të kujtonin KQZ e 2001 ku anëtarët ishin 7:0 për pushtetin. Kryetar i KQZ të farsës ishte vetë Lulzim Basha nën shëmbëlltyrën e Mark Abdisë të PS së kohës.

Ashtu si gjatë fushatës kur sheshet ishin bosh, takimet e Bashës në parti ishin të braktisura nga anëtarësia. LB i kapur nga paniku i bojkotit të demokrateve, filloi betejën e jetës dhe urdhëroi mbushjen e kutive, falsifikimin e firmave dhe të kryqeve mbi katrorin e tij. Nga një anëtar një vote procesi u kthye në cirkun e votimit një anëtar disa vota. 22 korriku ishte vetëm fundi i komedisë së grabitjes së karriges së kryetarit. Vetëm me LB mund të ndodhë, që të rritet e shumëfishohet shifra e pjesëmarrjes në votime kur këmbë njeriu nuk shkel tek qendra e votimit (siç ka ndodhur pothuaj në gjithë territorin pas dreke, për rreth 5 orë kur askush nuk lëvizte as në qytet dhe as hynte në degë të PD).

Vetëm LB mund të rimarrë karrigen kur në ata qarqe ku është zhytur në zgjedhje politike, falsifikon pjesëmarrje me 60%, ndërkohë që në të vetmin qark që ka fituar më 25 qershor me 60% , pjesëmarrja reale më 22 korrik është vetëm 30% . Vetëm LB mund të urdhërojë shtimin fals në rreth 30 mijë votave në "garën" partiake, kur në zgjedhje politike humb me 230 mijë vota; Vetëm LB, në vetminë e braktisjes nga të gjithë, mund të shpall veten kryetar në një konferencë shtypi pa asnjë njeri as në krah, as në sallë e as në oborr.

Në fakt më 22 korrik, 70% e anëtarësisë së PD kanë bojkotuar me përçmim farsën e Lulzim Bashës. LB sot është Kryetar i delegjitimuar. Ai sot mban vulën e turpit të ulët mbi karrigen e grabitur te PD, parti të cilën e asgjësoi me gjakftohtësinë e të vetëngririt. Në kronikë do hyjë si eksperimenti më i dështuar i politikës shqiptare, që shënoi humbjen më të madhe të forcës së vet politike dhe që shkruajti (fallsifikoi si) fitoren më të madhe me mbi 90% brenda farsës së brendshme partiake. Prandaj qytetarët me ironi e quajnë Mr. 90%. Ndaj Lulzim Basha nuk ka marrë asnjë urim. (me perjashtim te Kukanit).