Transmetuar më 27-07-2017, 11:49

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me vendimin që mori dhe Këshilli Bashkiak me 31 vota pro për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, duke e cilësuar vendimin e këshilltarëve të LSI si dinjitoz, ndërsa i kthehu përgjigje edhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës.

“Vendimi i këshilltarëve të LSI për çmimin e ujit dhe ndërtimin e shkollave në Tiranë ishte qëndrimi dinjitoz i një force politike, që jo vetëm bën opozitë, por është rreshtuar haptas në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Me keqardhje lexova reagimin e kryetarit të shkrirë të PD dhe me duhet t’i kujtoj së pari paaftësinë e tij për të menaxhuar furnizimin me ujë kur ishte kryetar bashkie dhe i kishte të gjitha mundësitë”, shkruan Kryemadhi.

Në postimin e sajin në rrjetin social Facebook, Kryemadhi theksoi më tej se me keqardhje kishte lexuar reagimin e kryetarit të shkrirë të PD-së, duke mos kursyer kështu ironitë. Mes të tjerash ajo tha se LSI nuk blihet me asnjë çmim ndërsa i bëri thirrje Bashës që të tregojë se si u blenë votat e 25 qershorit.

“Dua t’i them zotit Basha se këshilltarët e tij dje qëndruan në sallë për të votuar listat me emrat e tyre, që përfitojnë nga kreditë e buta. Dhe ky është një fakt që nuk mund të fshihet, madje as të manipulojë blerjen që iu bë dy këshilltarëve të LSI, prej të cilëve ne u distancuam. Sepse qëndrimi i LSI nuk mund të blihet me asnjë çmim. Sa për qëndrimin opozitar, zoti Basha harron shumë shpejt që ai dhe kryeministri ishin për javë të tëra xhelatët ndaj LSI.

Me mbështetjen e tij dhe të bashkëpunëtorit të tij të afërt Edi Ramës, u persekutuan dhe pushuan nga puna me dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të LSI. Ndaj të kërkosh sot të bësh opozitë kur ende nuk ke deklaruar qartë se me se u blenë votat e 25 qershorit është thjesht një lojë meskine për të fshehur të vërtetat e mëdha”, tha Kryemadhi.

Ajo shton më tej se LSI është e qartë dhe e vendosur në qëndrimin e saj kundër çdo përpjekje apo akti që dëmton qytetarët shqiptarë, pa asnjë kompromis apo pazar politik që gatuhet në zyrat e kryeministrit. Kështu që, sipas saj është në nderin e PD të bashkohet me vullnetin e LSI ose të mbetet peng i një marrëveshjeje të dyshimtë, shkatërruese e zgjedhjeve dhe e votës së shqiptarëve. /b.l/noa.al/