Transmetuar më 27-07-2017, 11:11

Ish kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka reaguar lidhur me vendimin e djeshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës për rritjen e çmimit të ujit.

Me anë të një mesazhi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili theksoi se "marrëveshja e turpit" e 18 majit, Basha-Rama vijoi edhe dje në Bashkinë e Tiranës.

"Marrëveshja e turpit" e 18 majit, Basha-Rama, që shkatërroi zgjedhjet e 25 qershorit, vazhdoi edhe dje në bashkinë e Tiranës.

PD tundi dynjanë se gjoja nuk do të shkonte në mbledhje të këshillit bashkiak, ndërsa në realitet shkoi, sepse u shit për kreditë e shtëpive të miqve e klientëve dhe legjitimoi rritjen e çmimit të ujit dhe koncesionit të shkollave.

Çorba e gëlltitur në 18 maj nga PD dhe Basha, vazhdon të villet përditë duke dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve të thjeshtë, siç u bë bashkëfajtore në blerjen dhe vjedhjen e votës edhe në 25 qershor”, shkruan Vasili.

Ndërkohë më herët lidhur me rritjen e çmimit të ujit ka reaguar edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha. Ai u shpreh se pazareve të kryeministrit Rama iu bashkuan edhe PDIU dhe LSI.

“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI”, Shkruan Basha.

Një ditë më parë, bashkë me PS në Bashki, bashkuan votat edhe FRD, PDIU dhe dy këshilltarë të LSI, Genta Mezini dhe Agim Kraja, të cilët me pas Luan Rama tha se nuk i njeh që të jenë këshilltarë të LSI. /b.l/noa.al/