Transmetuar më 27-07-2017, 10:23

Një ditë pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që votoi pro rritjes së çmimit të ujit me 20 lekë për metër kub, ka reaguar kryetari i PD-së.

Në një postim në Facebook, Lulzim Basha e quan vendimin “pazar politik të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë”, ku në këtë pazar përfshin LSI-në dhe PDIU-në.

“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI”, Shkruan Basha.

Rritja e çmimit të ujit, sipas kryedemokratit, rëndon ndjeshëm në xhepat e qytetarëve të Tiranës

“Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja”, vijon reagimi i Bashës, ndërsa thekson se “PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ne jemi të e fortë dhe të vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve”. /k.k/noa.al/