Transmetuar më 27-07-2017, 09:58

Senati amerikan ka votuar për të filluar debatin mbi një ligj të ri të kujdesit shëndetësor. Ky është një hap i madh për përpjekjet e Presidentit Trump për të shfuqizuar platformën shëndetësore të paraardhësit e tij, e famshmja Obamacare.

Në një votim me rezultat të ngushtë, disa senatorë republikanë që më parë kundërshtonin, ndryshuan mendje dhe votuan pro hapjes së diskutimeve për një platformë të re shëndetësore.

Përpjekjet paraprake për të zëvendësuar Obamacare ishin hedhur poshtë në javët e fundit për shkak të ndarjeve brenda Partisë Republikane.

Senatori John McCain, i cili u diagnostikua së fundmi me një tumor agresiv në tru, mori një duartrokitje kur u kthye në Kongres për të hedhur votën e tij “Pro”.

Presidenti Trump falënderoi senatorin e Arizonës, McCain që luajti “një rol kaq vital” në votim.

“Urime për të gjithë Republikanët, në tani mund të japim kujdesin shëndetësor për të gjithë amerikanët”, shkroi Trump.

Sidoqoftë mbetet ende e paqartë nëse në përfundim, Trump do të ketë votat e mjaftueshme për të kaluar ligjin që përfundimisht i thotë lamtumirë Obamacare.