Transmetuar më 27-07-2017, 09:07

Pendesa për krimin e kryer nuk e ndihmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila ka lënë në burg Mirald Metallarin, 21-vjeçarin i cili vrau me armë babain, dhe plagosi nënën.

Me lot në sy brenda kafazit të sigurisë, përpara trupit gjykues, i riu mësohet të ketë thënë, “e di gabimin që kam bërë, e di që babai më ka falur për gabimin që kam bërë, jam penduar për krimin që bëra”.

Ngjarja e rëndë, për të cilën akuzohet 21-vjeçari, ndodhi në 24 korrik në Bathore, ku pas një konflikti të çastit, ai mori armën e babait polic dhe qëlloi disa herë mbi trupin e të atit. Ky i fundit humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa u plagos edhe nëna e tij, që tentoi të shuante konfliktin.

Gjatë dëshmive që Miraldi ka dhënë përpara gjykatës, ka deklaruar se gjithçka kishte nisur pasi iu rrëzua karroca me llaç, dhe në këto momente kushte marrë kritika nga babai i tij. Po sipas dëshmisë, i ati e ka goditur me grusht, çka ka detyruar të riun që të hyjë në shtëpi dhe me armën tip pistoletë, të kryejë aktin e rëndë.

Tragjedia e kësaj familjeje bëhet edhe më e rëndë pasi pas pak kohësh, do të martonte vajzën. /k.k/noa.al/