Transmetuar më 26-07-2017, 21:56

Këshilli Bashkiak i Tiranës shqyrtoi sot vendimin për shpalljen fituese të kredive të buta për 999 familje, duke zbutur në këtë mënyrë edhe nevojën për banesa të çifteve të reja apo të familjeve në nevojë. Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Këhsillit Bashkiak Veliaj deklaroi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

“Ne sot do të aprovojmë rreth 1000 kredi të buta për 1000 apartamente të reja në qytetin e Tiranës nga familjet e reja të këtij qyteti.

Gjithmonë ajo që më mundon teksa bëj disa nga celebrimet e qytetit, një nga gjërat që më mundon është a kemi ne mundësi që këtyre njerëzve t’u japim edhe një ndihmë shtesë përveç fotos së celebrimit për të nisur jetën në Tiranë dhe më vjen mirë që më në fund një ëndërr që e kemi pasur bashkë para dy vitesh kur financat i gjetëm të rrënuara, Bashkinë të falimentuar, thamë në momentin e parë që do shëndoshim financat e Bashkisë, do hapim procesin për kreditë e buta.

Do të kalojmë nga një situatë ku kreditë e buta i shkonin zëvendës ministrave të këtyre që sot bëjnë sikur u hapet barku më miletin, të drejtorëve të tyre, shefave të tyre, deputetëve të tyre sikur ishin me ndihmë ekonomike. Sot u shkon 999 çifteve të reja të këtij qyteti si një mënyrë se si ky qytet u thotë, jetë të mbarë në Tiranë, të trashëgoheni e jetë të lumtur”, tha Veliaj.

Kjo është vetëm faza e parë, ndërkohë për ata aplikues që nuk kanë emrin në këtë listë për mungesë dokumentacioni do kenë mundësinë për t’u përzgjedhur në fazën e dytë. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se do të shpërndahen edhe 500 kredi të tjera të buta për njerëzit në nevojë apo për familjet e reja, duke e çuar në total rreth 1500 kredi të buta.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se kjo do të injektojë në ekonomi thuajse 60 milionë dollarëve në kredi nga bankat, çka do të thotë më shumë vende pune në ndërtim e akoma më shumë në sektorët e tjerë të lidhur me të. /b.l/noa.al/