Transmetuar më 26-07-2017, 21:15

Jo shtatori, atëherë kur të gjithë fillojnë punën për sezonin e ri, po që në gusht nis puna në një ekran të ri për Florian Agalliun. Aktori i njohur, prej vitesh e ka gjetur veten në ekran me prezantime të programeve të ndryshme në Vizion Plus apo edhe me spektakle televizive.

Duke filluar që nga sezoni i ri, Flori do të rikthehet në Top Channel për të qenë në një format që për të nuk është i panjohur. “Në shtëpinë tonë” është një program që i dedikohet më së shumti kuzhinës, pjesë të cilën Flori e njeh tashmë, por edhe ka mësuar shumë prej saj.

Në një rrëfim ekskluziv për Who, Flori zbulon disa detaje, si fillim: “Këtë vit më është dhënë mundësia të ndryshoj ekran. Do të jem sigurisht brenda profilit tim sa i përket kuzhinës dhe në një format akoma më të madh. Prej shtatorit, do të drejtoj bashkë me Anjeza Majën emisionin “Në shtëpinë tonë” në Top Channel.”

Por më e bukura është se autorja e programit është bashkëshortja e tij, Renisa. Edhe këtë pjesë, Flori e ka sërish fushë të prekur më parë: “Për Renisën ky do të jetë viti i tretë si autore e këtij emisioni. Është një format shumë i ndjekur dhe ka një target grup shumë të madh. Për mua nuk do të jetë hera e parë që do të punojmë bashkë.

Kemi punuar dhe herë të tjera bashkë në Top Channel. Gjërat i kemi të ndara dhe secili ka pozicionin e vet. Nuk do të pretendoja kurrë të hyja në kompetencat e saj, sikundër ajo në të miat. Dhe mendoj që ka për të qenë shumë mirë. Ajo do të kujdeset që në asnjë moment të mos harroje të më flasë për punën…”

Ndërsa prezantimi me Anjeza Majën duket emocionues: “Emocionuese është! Aty vazhdoj të kem ende miq që kemi punuar dikur. Madje sa herë që kam shkuar gjatë këtyre kohëve, pyetja ka qenë standarde: “Ho me, kur do vish?” Dhe ja ndodh që kthehesh një ditë. Jam i lumtur që rikthehem aty ku e kam nisur, por pa harruar njerëzit që kam punuar gjatë gjithë këtyre kohëve, të cilët kanë investuar me vullnet dhe dashuri në rrugën time.”