Transmetuar më 26-07-2017, 20:37

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetre është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në Lezhë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:40, në rrugën rurale Gjadër- Zojs, te vendi i quajtur “Ura e Gjadrit”, ku një çiklomotor ka rënë në lumin Gjadër.

Si pasojë e aksidentit ka gjetur vdekjen 70 vjeçari V.L., banues në Krajen i cili duke udhëtuar me një ciklomotorr, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka rënë në lumin Gjadër.

Mësohet se bashkë me të në ciklomotorr, ka qenë edhe mbesa e tij, 16 vjeçarja R.P., e cila është nxjerrë menjëherë nga lumi dhe është dërguar në spitalin rajonal të Lezhës, për ndihmën e nevojshme mjekësore ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga shërbimet policore, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe banorët e fshatit, u  bë e mundur gjetja dhe nxjerrja nga uji e trupit të pajetë të 70 vjeçarit rreth 1 km nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /b.l/noa.al/