Transmetuar më 26-07-2017, 20:01

Më në fund, sfida e madhe mes Phelps dhe kafshës më grabitqare të oqeanit, për të përcaktuar se cili prej tyre është më i shpejtë, është zhvilluar.

Dhe ai që ka fituar garën e zhvilluar në një distancë prej 100 metrash është peshkaqeni i bardhë, që dha kohën 36”1 sekonda kundrejt 38”1 sekonda të Phelps.

Kjo garë është transmetuar nga “Discovery Channel”, që dhe ka përgatitur këtë sfidë, në emisionin e saj “Java e Peshkaqenit”.

Por fansat e shumtë kanë mbetur të zhgënjyer, pasi në fakt nuk ka qenë një sfidë e vërtetë, pasi Phelps ka garuar i vetëm në det dhe më pas është bërë montimi i videos së kësaj gare mes notarit me më shumë medalje olimpike dhe peshkaqenit më grabitqar.

Ka qenë vetë notari që pas emisionit tha: “Nuk kemi qenë në ujë në të njëjtën kohë. E di që kjo është pyetja që të gjithë kanë bërë gjatë muajve të fundit. Isha i sigurt dhe kjo ishte përparësia e të gjithëve, pasi askush nuk duhej të vritej nga kjo sfidë. Por ju garantoj se kjo garë ka qenë ndër më të vështirat e karrierës time, për shkak të temperaturës së ulët që kishte uji (13 gradë)”, u shpreh Phelps.

Phelps, 32 vjeç, në karrierën e tij ka fituar 28 medalje olimpike, nga të cilat 23 të arta, ka fituar 26 tituj kampionë bote dhe numëron 30 rekorde botërore.