Transmetuar më 26-07-2017, 19:11

Ka nisur me debate mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës, ku pritet të votohet mes të tjerash edhe projekti i bashkisë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Mbledhjen e hapi Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, por nga vendi ka replikuar Leonard Olli, kreu i këshilltarëve të PD-së.

Ai e quajti nismën e bashkisë aferë korruptive. Më pas, mes replikash, këshilltarët e djathtë braktisin mbledhjen.

Në dalje, kreu i këshilltarëve të djathtë Leonard Olli duke iu drejtuar kreut të Këshillit Aldrin Dalipaj tha se rritja e çmimit të ujit të pijshëm nuk po bëhet për të kryer investime por për të futur paratë në xhepa.

“I doni paratë për t’i futur në xhepat tuaj”, tha Olli por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Dalipajt. “Nardi i ke parë sa bëjnë makinat në oborrin e partisë suaj? Hajde mirupafshim, suksese në jetë”, iu tha Aldrin Dalipi.

Më pas fjalën e ka marrë kryebashkiaku Erjon Veliaj i cili është shprehur se: “Falënderoj këshilltarët e PD-së që sapo u larguan. Beteja më e madhe është mes frikacakëve dhe trimave”.

"Dua t’i uroj suksese anëtarëve të rinj të Këshillit Bashkiak. Pasi do marrin vendime të rëndësishme për qytetin. Beteja nuk është mes të majtës dhe të djathtës, por mes frikacakëve dhe guximtarëve. Shikoni si ka ndryshuar Tirana sot, falë vendimeve të guximshme.

Sot kam një lajm të mirë, ne do aprovojmë një mijë kredi të buta për 1000 apartamente në Tiranë. Një ëndërr që e kemi patur bashkë, kur financat i kishim të rrënuara, thamë që në momentin e parë që ne do rregullonim financat, do hapnim kreditë e buta, që ky qytet t’u thotë çifteve të reja, mirëserdhët në qytet”, u shpreh Veliaj. /b.l/noa.al/