Transmetuar më 26-07-2017, 18:57

Me anë të një deklarate për media ka reaguar nënkryetari i LSI-së, lidhur me akuzat e bëra Këshilltarët e PD-së, në Bashkinë e Tiranës, lidhur me rritjen e çmimit të ujit, pasi Veliaj pranoi kërkesat e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “LSI e palëkundur ndaj shqetësimeve të qytetareve. Mbledhja nuk ka filluar dhe kjo tregon se nuk ka seriozitet”, tha Luan Rama.

Ndërsa këshilltarët e LSI-së, në një deklaratë për media kanë reaguar sërish, e ndërsa janë në pritje për të nisur mbledhja e Këshillit Bashkiak në Tiranë, për të votuar rritjen e çmimit të ujit.

“S’jemi pjesë e asnjë pazari. Leopard Olli na bën pjesë të pazareve politike. Ne jemi paraqitur në orën 18:00 kur duhet të fillonte mbledhja e Këshillit dhe ende s’ka filluar. Presim nga kryetari i Bashkisë seriozitet. Pasi çështjet e tilla kanë seriozitet. Nuk mund të rrimë orë duke pritur aty, deri sa të vij kryetari dhe këshilltarët.

Dua t’i bëj thirrje dhe përgjigje Ollit që na bën ne pjesë e pazareve. Ne nuk jemi këshilltarë të LSI, por jemi dhe anëtarë dhe jemi në shërbim të qytetarëve. Ndaj në kërkesën që i parashtruam kryetarit të bashkisë u krijonim qytetarëve lehtësira. Dua t’i them Ollit, edhe për këtë gjendje që kemi tek ujësjellësi, është edhe faj i Bashës që e ka lënë kolateral në banka.

Zotit Veliajt i kemi cacur një shkresë, sot i dorëzuam përveç një deklarate, i çuam shkresë të shkruar dhe nuk na ka ardhur në përgjigje zyrtare. Vota e LSI, vota e anëtarëve të LSI që nga dita e parë që kemi marrë këtë legjislaturë do jetë vetëm në shërbim të interesit të qytetarëve. Edhe në kërkesën që kemi dorëzuar është e qartë se çfarë kërkojmë. Presim zbatim dhe zbatim të të drejtave të qytetarëve.”, tha Këshilltarja e LSI në Këshillin Bashkiak, Eriona Bixha.

Më herët kryetari i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, ka hedhur akuza të forta ndaj bashkisë dhe këshilltarëve të LSI-së në. Pas deklaratës së kryebashkiakut Veliajt, i cili njoftoi se ka pranuar kushtet e LSI-së për t’ia bashkuar nismës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, Olli tha për mediat:

“Për fat të keq, LSI vijon të jetë pjesë e pazarit me pushtetin dhe pse formalisht deklaron se është në opozitë. Provat tregojnë që është bërë pazar i pastër. Ne kemi kërkuar ndalimin e rritjes së çmimit, kemi kërkuar mos prezencë për projektin e koncesionit të shkollave dhe rritjen e çmimit të ujit, sepse vetëm PS nuk ka kuorum për të zhvilluar mbledhjen”.