Transmetuar më 26-07-2017, 18:43

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga Ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane të Republikës së Slovakisë, Miroslav Lajčák, me rastin e marrjes së detyrës.

Në mesazhin e tij Lajčák i ka shprehur urimet Metës për zgjedhjen e tij President, ndërsa ka siguruar mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Sllovakisë në përmbushjen e ambicieve integruese të Shqipërisë.

“Më lejoni t’ju shpreh urimet e mia të sinqerta për zgjedhjen dhe përurimin e mandatit tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Me këtë rast, dëshiroj t’ju uroj ju si dhe vendit tuaj sa më tepër forcë dhe entuziazëm në procesin e reformave përgjatë rrugës drejt Bashkimit Evropian.

Dëshiroj gjithashtu t’ju siguroj rreth mbështetjes së vazhdueshme të Republikës së Slovakisë në përmbushjen e ambicieve integruese të Shqipërisë!

Jam i bindur se marrëdhëniet tona dypalëshe do të vazhdojnë të zhvillohen nën frymën e miqësisë, mirëkuptimit dhe në interes të qytetarëve të vendeve tona. Ju uroj shëndet të mbarë dhe suksese në përmbushjen e këtij funksioni kaq sfidues e me përgjegjësi!”, përfundon mesazhi i Lajčák. /b.l/noa.al/