Transmetuar më 26-07-2017, 17:45

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pranuar propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

“Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24 orë. Bashkia do t’i përcjellë ERU plan biznesin me gjithë propozimet e LSI”, tha Veliaj.

Më herët Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëroi kryebashkiakun Veliaj për votën kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, këshilltarja e LSI-së, Erjona Bixha tha se LSI do të bashkojë votat me PS-në në këshill për çmimin e ujit të pijshëm nëse realizohen 3 pika.

“Votën tonë sot në këshillin bashkiak të Tiranës, në bazë të realizimit të këtyre pikave: Të merren masa për prerjen e lidhjeve të paligjshme që u bëhen disa bizneseve klienteliste.

Të përjashtohen nga rritja e çmimit të ujit të pijshëm pensionistët dhe familjet në nevojë. Të vendosen çmime diferenciale për bizneset, që tarifat të jenë të ndryshime për fabrikat dhe baret.

Sa i përket koncesioneve të shkollave, ne jemi kundër çdo koncesioni. Nëse nuk reflektohen këto vendime, atëherë nuk e japim votën”, tha Bixha.

Ndërkohë kundër këtij vendimi janë shprehur këshilltarët e PD, të cilët e kanë konsideruar si një vendim klientelist. /b.l/noa.al/