Transmetuar më 26-07-2017, 17:16

Deputeti i ri i Partisë Socialiste për Sarandën, Alket Hyseni ka reaguar lidhur ngjarjen e paprecedentë të ndodhur në Ksamil, ku ujërat e zeza janë hedhur në bregdet.

Me anë të një statusi në rrjetin e tij të “Facebook”, Hyseni i ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese që të identifikohen autorët e masakrës mjedisore. Ndonëse nuk dihen ende përgjegjësit e ndotjes masive, ujërat e zeza kanë pushtuar bregdetin në plazhin “Gjiri Poda” tek “Tre ishujt” në këtë zonë.

Reagimi i deputetit:

Jam shumë i shqetësuar dhe i indinjuar nga situata skandaloze në Ksamil, si rezultat i shpërthimit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.

Duke i bërë thirrje urgjente Bashkisë Sarandë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve që të stabilizojnë menjëherë situatën alarmante, kërkoj me forcë nga organet ligjzbatuese, që të fillojnë menjëherë procedimin penal, gjetjen e autorëve përgjegjës dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore, penale dhe civile, të shkaktarëve të kësaj gjendjeje, të cilët me cilësinë e dobët të punimeve, projektin e devijuar apo keqpërdorimin e fondeve, rezultojnë të përfshirë në këtë aferë ulëritëse, me pasoja të rënda për shumë biznese të zonës, për qytetarët, si dhe për dëmtimin e imazhit turistik të Kasmilit dhe gjithë Shqipërisë.

Nga ana tjetër siguroj çdo të dëmtuar nga kjo situatë, që do të jem në ballë të përpjekjeve për rikuperimin e pasojave dhe dëmshpërblimin e tyre. Keqardhje dhe ndjesë për çdo pushues që përjeton këtë situatë në kulmin e sezonit turistik në plazhet më të bukura të rivierës sonë.