Transmetuar më 26-07-2017, 16:08

Këshilltarët e Partisë Demokratike i kanë bërë ftesë ditën e sotme Lëvizjes Socialiste për Integrim që të bojkotojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do të votohet vendimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Këshilltari i djathtë, Leonard Olli i bëri thirrje anëtarëve të LSI që të mos bëhen pjesë e votimit mafioz.

Nga ana tjetër Olli theksoi se duke mos shkuar në mbledhje nuk mund të krijohet kuorumi për votat.

“Mos u bëni pjesë e këtij votimi mafioz. Të mos shkojmë në mbledhje, mos të krijohet kuorum. Jo kuorum për aferën korruptive të ujit”, tha Olli.

Ditën e djeshme këshilltarët e LSI-së kundërshtuan propozimin e Bashkisë ndërsa theksuan se duhet të bëhet një ndarje në dy kategori për çmimin e ujit të pijshëm.

Sipas tyre familjet e varfra dhe ato që marrin ndihmë ekonomike rritja e çmimit duhet të përjashtohen nga rritja.

Po ashtu, LSI në propozimin e saj theksoi se duhet të bëhet ndërprerja e  lidhjeve të paligjshme nga ana e bizneseve, për të luftuar kështu informalitetin.