Transmetuar më 26-07-2017, 11:41

Prokuroria për Krime të Rënda dërgon në gjykatë kërkesën për caktimin e masë së sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin Mirald Metallari, i akuzuar për vrasjen e të atit dhe plagosjen e nënës.

I riu akuzohet se mesditën e 24 korrikut, ka qëlluar për vdekje me armë tip pistoletë babanë e tij, Miftar Metallari, efektiv policie, si edhe ka plagosur nënën e tij, Nurie Metallari.

Prokuroria rindërton ngjarjen dhe thotë se me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kontakti i parë është mësuar se Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka patur me të atin, Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.

Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dal nëna e tij Nurie Metallari e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se Mirald Metallari menjëherë pas ngjarjes është larguar me një automjet të markës “Ford”, për të transportuar nënën e tij, Nurie Metallari në spitalin e traumës Laprakë.

Me marrjen e këtij njoftimi, nga ana e policisë u bë ndalimi i mjetit në rrugën “Lord Bajron, ku njëkohësisht u bë edhe ndalimi i Metallarit si dhe është bllokuar arma e zjarrit tip pistoletë, model “TT”.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime në praninë e avokatit të zgjedhur kryesisht, Mirald Metallari, i cili ndër të tjera ka dhënë dëshminë mbi krimin.

Ai ka thënë se më datë 24 korrik rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin Miftarin për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë.

I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Miraldi ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë dy motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit.

Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dalë me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndaloj dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja.

Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndaloj, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarri në drejtim të saj në një distancë prej tre metrash. Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Miraldit, ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës.

Më pas Miraldi thotë se ka shkuar te e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital. Me vete ka patur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë, kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali e ka ndaluar një patrullë policie, dhe e ka shoqëruar atë në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Në deklarimin e tij i riu deklaron se armën ua ka dorëzuar vet punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka patur konflikte të mëparshme me të atin.

I dyshuari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare me viktimë babanë e tij dhe “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, me të dëmtuar nënën e tij, si edhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. /a.y/noa.al

Vrau babanë dhe plagosi nënën, zbardhet ngjarja

Krimi në familje, djali tregon si vrau babanë dhe plagosi nënën

Kush është djali që akuzohet se vrau të atin dhe plagosi rëndë nënën

Vrau babanë dhe plagosi nënën, çfarë tha i riu në polici

Tiranë, arrestohet djali që akuzohet se vrau babanë dhe plagosi nënën

Krim në familje/ Djali i merr pistoletën të atit polic dhe e vret, plagos nënën