Transmetuar më 25-07-2017, 12:34

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati priti sot në një takim homologun e Maqedonisë, Nikola Dimitrov. Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy ministrat shprehën angazhimin e tyre për për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa thanë se marrëveshja e Ohrit është në axhendën e të dy qeverive.

“Shqipëria nuk ka një çështje të hapur me Maqedoninë, dëshiron marrëdhënie edhe më të konsoliduara dhe një projekt të ri bashkëpunimi që vlerëson mënyrën si zbatohen angazhimet mes vendeve tona në praktikë. Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë pengesë për asnjë vend, sepse nuk është pjesë e ADN-së bllokimi i aspiratave të një vendi, aq më tepër Maqedonia për të cilin jemi shumë të interesuar për stabilitet”, tha ministri Bushati.

Ndërkohë ministri Nikola Dimitrov foli edhe për marrëveshjet ekonomike mes dy vendeve.

“Kam përvojë edhe si ambasador. Kemi zhvilluar shumë turizmin mes Holandës dhe Maqedonisë. Diplomacia mund të jetë e mirë, dhe mendoj se roli ynë në qeveri mund të sjellë ndryshime, ne mund te jemi ndihmës. Është nder të jesh mik këtu”, tha ai.

Pak kohë më parë, fraksione të caktuara të politikës Maqedonase, hodhën akuza se paketa e propozuar nga partitë shqiptare atje, ishte me miratimin e Tiranës zyrtare. /k.k/non.al/