Transmetuar më 25-07-2017, 11:33

Gjykata e Sarandës la në fuqi kërkesën e Prokurorisë, duke lënë në burg me afat 45 ditë të dyshuarin për aksidentin me pasojë vdekjen e turistes ruse në ishujt e Ksamilit.

31-vjeçari Ermal Fataj, në fjalën e tij para trupit gjykues, kërkoi hetim të plotë për zbardhjen e së vërtetës për vdekjen e turistes 15-vjeçare, Kseniia Roik

15-vjeçarja dyshohet se është goditur nga skafi i drejtuar prej Fatajt, në momentin kur ajo po notonte pranë zonës së “Tre Ishujve”në Ksamil.

Por vetë skafisti nuk e pranon akuzën, duke thënë se, nëse do të kishte ndodhur një aksident i tillë, do të kishte ndaluar për t’i ofruar adoleshentes ndihmë.

“Nuk kam hasur me mjetin tim atë ditë në ndonjë trup apo në ndonjë send për të kuptuar se kisha aksidentuar njeri. Nëse do të kisha kuptuar për aksident, do të kisha ndaluar dhe do të kisha dhënë ndihmë”, u shpreh Fataj para trupit gjykues, shkruan Panorama.

31-vjeçari gjithashtu kërkoi hetim të drejtë, si dhe bëri thirrje që pjesë e analizave shkencore të mos jetë vetëm skafi i tij, por edhe mjetet e tjera lundruese që ishin në zonën ku ndodhi aksidenti.

“Nuk e kam kuptuar nëse e kam goditur, kërkoj hetim të rregullt. Kërkoj drejtësi”, është shprehur 31-vjeçari.

Në fund, gjyqtarja Nevri Duka pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes, Lenci Mërkuri, i cili kërkoi “Arrest me burg 45 ditë” për Ermal Fatajn, pasi dyshon se është personi që ka goditur për vdekje me mjet lundrues 15- vjeçaren, ndërsa ishte duke u larë në det.